Friday, November 8, 2024

Ketoza në Kafshët Ripërtypëse: Patogjeneza, Etiologjia, dhe Trajtimi


Ketoza është një sëmundje metabolike që prek kafshët ripërtypëse, e shkaktuar nga çrregullimi i metabolizmit të karbohidrateve, lipideve dhe proteinave. Kjo sëmundje karakterizohet nga një bilanc negativ energjetik gjatë laktacionit të hershëm (2-6 javë pas pjelljes) dhe shoqërohet me përqendrim të lartë të trupave ketonikë (si acid acetoacetik, beta-hidroksi butirik dhe aceton) në organizëm.


Manifestimet Klinike dhe Shkaqet

Sëmundja sjell humbje të peshës, ulje të prodhimit të qumështit, çrregullime nervore dhe ndryshime distrofike në organe si pasojë e bilancit negativ energjetik. Ketoza haset kryesisht te lopët me prodhimtari të lartë dhe që mbahen në kushte stallore intensive, ndërsa është më e rrallë te lopët që kullosin.

Në dele, ketoza ndodh në muajin e fundit të shtatzënisë dhe njihet si toksemia e barsës, duke u shfaqur më shumë në delet me dy fetusa, por gjithashtu edhe në ato me një fetus të madh. Ketoza mund të jetë akute, nënakute ose kronike, dhe klasifikohet si parësore apo dytësore, me manifestime klinike apo subklinike.


Patogjeneza e Ketozës

Ketoza është kryesisht rrjedhojë e bilancit negativ energjetik në javët e para të laktacionit. Tek kafshët me prodhimtari të lartë të qumështit, sasia e glukozës humbet në formën e laktozës në qumësht, duke shkaktuar hipoglicemi dhe bilanc negativ energjetik. Në kushte fiziologjike normale, karbohidratet e marra në rumen metabolizohen në acide ketogjene (si acid butirik dhe acetik) dhe acid propionik, i cili është glikogjenik.

Nëse mungon glukoza, aktiviteti i mikroflorës së rumenit ndryshon, duke u favorizuar prodhimi i acideve ketogjene dhe duke u frenuar formimi i glukozës nga acidi propionik.


Shkaqet e Tjera të Ketozës

Shkaqe të tjera të ketozës përfshijnë ushqyerjen me silazh të cilësisë së dobët, i cili përmban sasi të larta të acidit butirik, çka shkakton çrregullim të mikroflorës së rumenit. Ushqimet me sasi të lartë proteinash mund të kontribuojnë në shfaqjen e ketozës, pasi rritet prodhimi i acidit butirik dhe amoniakut, duke ndikuar negativisht në thithjen e glukozës në gjak.


Shenjat Klinike të Ketozës

Ketoza subklinike nuk ka shenja të shprehura; shfaqet vetëm me ulje të prodhimit të qumështit dhe nivele të larta të trupave ketonikë në gjak dhe urinë. Forma klinike paraqitet në dy forma: dobësuese (digestive) dhe nervore. Forma dobësuese karakterizohet nga pakësimi gradual i oreksit, ulje e prodhimit të qumështit dhe humbje të peshës. Forma nervore përfshin lëvizje të pakontrolluara, humbje të shikimit dhe ndjeshmëri të rritur të lëkurës.


Diagnoza dhe Mjekimi

Diagnoza bazohet në anamnezë, shenjat klinike dhe analizat biokimike. 

Terapia për mjekim përfshin glukozë (50%, 500 ml në venë), glukokortikosteroide (si dexametazoni), propilen glikol dhe preparate të tjera si propionati i natriumit. Në rastet nervore përdoren edhe preparate të klorhidratit dhe antiacide në rastet me acidozë.


Parandalimi

Parandalimi arrihet me ushqyerje të mjaftueshme dhe të balancuar për kërkesat fiziologjike të kafshëve, duke shmangur silazhin e cilësisë së dobët dhe duke siguruar një racion të shëndetshëm për parandalimin e acidozës subklinike.


Dr.Berat Berisha, 08, nëntor 2024


No comments:

Post a Comment