Rakiti (Rachitis)
Rakiti është një sëmundje kronike e kafshëve të reja, që ngjan shumë me osteomalacinë te kafshët e moshuara. Ajo shfaqet si rezultat i çrregullimeve të metabolizmit të kalciumit dhe fosforit dhe shoqërohet me deformime të skeletit, të ngjashme me ato të osteomalacisë.
Kjo sëmundje vërehet më shpesh te kafshët që mbahen në ambiente të mbyllura dhe nuk ekspozohen mjaftueshëm ndaj dritës së diellit, gjë që çon në mungesë të vitaminës D (hipovitaminozë D). Rakiti shfaqet te kafshët e porsalindura dhe te racat e përmirësuara, të cilat kanë nevoja më të mëdha për kalcium dhe fosfor. Prek të gjitha llojet e kafshëve të reja dhe, gjithashtu, është e zakonshme edhe te shpendët.
Shkaqet dhe Patogjeneza
Shkaqet kryesore të rakitit janë mungesa e kalciumit (Ca), fosforit (P) dhe vitaminës D, si dhe çrregullimet në raportin e këtyre elementeve në racione ushqimore. Në kafshët ripërtypëse, sëmundja shfaqet kur ato ushqehen me ushqime me përmbajtje të ulët fosfori dhe të lartë kalciumi.
Faktorët që ndikojnë në patogjenezën e sëmundjes janë të ngjashëm me ata që hasen te pareza puerperale dhe, sidomos, te osteomalacia. Gjithashtu, trashëgimia ka një rol të rëndësishëm në predispozitën për këtë sëmundje, dhe janë përshkruar forma të trashëgueshme të rakitit.
Te këlyshët e qenve, rakiti shfaqet veçanërisht kur ata ushqehen me mish pa kocka (i pasur me fosfor, por i varfër në kalcium) ose me ushqime të ndryshme që kanë përmbajtje të ulët të kalciumit dhe elementëve shtazorë.
Patogjeneza e rakitit është e ngjashme me atë të osteomalacisë dhe lidhet kryesisht me hormonin e tiroides dhe paratiroides, vitaminën D, kalciumin dhe fosforin.
Shenjat Klinike
Te kafshët e prekura vërehet çrregullim në shije, që shfaqet me lëpirjen e mureve, grazhdit dhe objekteve të tjera në stallë. Me përparimin e sëmundjes, shfaqen shenja të tjera klinike, si ënjtje të kyçeve të gjymtyrëve, përkulje të gjymtyrëve të përparme te këlyshët dhe viçat, deformime të shtyllës kurrizore, zmadhim i kokës dhe deformime në ekstremitete, si dhe vështirësi në lëvizje dhe dëshirë për të qëndruar shtrirë. Shenja të ngjashme shfaqen edhe te zogjtë dhe shpendët.
Te pulat, rakiti çon në ulje të prodhimit të vezëve; lëvozhga e vezëve bëhet e hollë, madje, në disa raste, veza mund të jetë edhe pa lëvozhgë.
Diagnoza
Diagnoza vendoset lehtë, duke u mbështetur në anamnezën, shenjat klinike dhe analizat laboratorike. Ndryshimet dhe deformimet në kocka janë të dukshme dhe vendimtare për vendosjen e diagnozës.
Mjekimi dhe Masat Parandaluese
Mjekimi: Në radhë të parë, kafshëve të prekura duhet t'u sigurohet sasia e nevojshme e kalciumit, fosforit dhe vitaminës D. Për kafshët e vogla, përveç qumështit të plotë, rekomandohet dhënia e ushqimeve të gjelbra, bari të freskët dhe sanë, si dhe shtesa minerale që përmbajnë kalcium dhe fosfor.
Kafshët e reja duhet të ekspozohen çdo ditë ndaj ajrit të freskët dhe diellit (rrezatimi me rreze ultraviolet), veçanërisht gjatë dimrit. Terapia përfshin preparate të kalciumit (karbonat kalciumi) dhe të fosforit (fosfat natriumi).
Parandalimi:
1.Ushqim i balancuar për kafskafsht
2.Ekspozim në diell,
3.Ambiente të ndriçuara në stalla.
Dr. Berat Berisha
08.Nëntor 2024
No comments:
Post a Comment