Hemoglobinuria Puerperale
Hemoglobinuria puerperale është një sëmundje akute metabolike që prek lopët, veçanërisht ato me prodhimtari të lartë të qumështit. Ajo karakterizohet nga një hemolizë brenda enëve të gjakut, prania e hemoglobinës në urinë (hemoglobinuri) dhe me gjendje anemie.
Hemoglobinuria puerperale shfaqet kryesisht në lopët nga laktacioni i tretë deri te i gjashti, brenda dy deri në gjashtë javëve të para të laktacionit.
Sipas të dhënave të literaturës, mungesa e bakrit mund të shkaktojë këtë sëmundje, pavarësisht moshës së kafshës (edhe te lopët e reja, në laktacionin e parë dhe të dytë).
Hemoglobinuria është e përhapur gjithashtu në vendet e gadishullit Ballkanik, përfshirë Shqipërinë dhe ish-vendet e Jugosllavisë.
Kjo sëmundje shkakton dëme ekonomike të konsiderueshme, por nuk ka të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara në Kosovë. Sidoqoftë, nga përvoja në terren, sëmundja haset rrallë në mënyrë sporadike, dhe dëmet ekonomike, megjithëse jo të papërfillshme, janë të vogla krahasuar me sfidat e tjera në blegtorinë e sotme.
Shkaqet dhe Patogjeneza
Shkaku i sëmundjes nuk është plotësisht i qartë, megjithatë, disa faktorë predispozues janë të njohur dhe përfshijnë:
Mungesë fosfori: Sëmundja shfaqet shpesh në rajonet ku tokat janë të varfra në fosfor. Mungesa e fosforit në ushqim dhe më tej në organizëm lidhet ngushtë me sëmundjen dhe ndikon në uljen e rezistencës osmotike të eritrociteve.
Mungesë bakri: Kjo e rrit ndjeshmërinë e eritrociteve ndaj dëmtimeve oksidative, të cilat shkaktojnë zbërthimin e eritrociteve dhe çlirimin e hemoglobinës në lëngjet trupore. Megjithatë, mungesa e bakrit nuk është shkaktar i drejtpërdrejtë i oksidimit, por bakri parandalon reaksionet e dëmshme intravaskulare.
Ushqime të caktuara: Konsumimi i sasisë së madhe të kolzës, lakrës, panxharit dhe produkteve të tij është faktor predispozues për sëmundjen.
Mungesë seleni: Mungesa e selenit gjithashtu mund të kontribuojë në shfaqjen e sëmundjes.
Në kolzë dhe lakër është gjetur një produkt toksik, sulfometil cisteinë sulfoksidi (SMCO), që ndikon në shfaqjen e hemolizës intravaskulare dhe hemoglobinurisë puerperale. Gjithashtu, në panxhar dhe disa ushqime të tjera gjenden saponina, që kontribuojnë në proceset hemolitike intravaskulare.
Gjatë hemoglobinurisë puerperale, në eritrocite formohen “truptha të Heinzit” që përmbajnë njësi kimike reaktive.
Pra, sipas të gjitha këtyre fakteve, kjo është një sëmundje idiopatike, me shkakësi të paqartë dhe poli-etiologjike.
Shenjat Klinike
Sëmundja fillon me dobësim, çrregullime të koordinimit të lëvizjeve dhe ulje të rendimentit të qumështit. Shfaqet hemoglobinuria (prani e hemoglobinës në urinë), ku urina merr ngjyrë të kuqe të errët deri në kafe të zezë. Në disa raste të lehta, hemoglobinuria mund të jetë shenja e parë.
Lopët e prekura tregojnë shenja të dehidratimit; sytë janë të futur thellë në orbita, lëkura është e ashpër dhe humb elasticitetin, ndërsa qimet janë të çrregulluara. Lopa ka oreks të dobët, përtypet dhe peristaltika e parastomakëve është e reduktuar. Gjithashtu, shfaqet anemi, që çon në shtim të pulsit dhe përforcim të toneve të zemrës.
Mukozat duken të zbehta dhe më vonë mund të bëhen të bardha dhe më pas të zverdhen (kjo vihet re sidomos në lëkurë, mukozë dhe gjinj).
Diagnoza
Diagnoza bazohet në të dhënat anamnestike, shenjat klinike dhe analizat laboratorike. Diagnoza mbështetet te shfaqja e sëmundjes në javët e para pas pjelljes dhe hemoglobinuria në urinë, dy karakteristika tipike. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që hemoglobinuria shoqëron edhe disa sëmundje të tjera, si babezioza, anaplazmoza etj.
Mjekimi dhe Masat Parandaluese
Fillimisht eliminohen shkaqet e mundshme të sëmundjes, si ushqimet hemolitike dhe mangësitë e fosforit, bakrit ose selenit në ushqim.
Mjekimi duhet të nisë brenda 12 orëve nga shfaqja e shenjave për të pasur një prognozë më të mirë. Mjekimi përfshin:
Transfuzioni i gjakut: 5-6 litra gjak për një lopë me peshë 450 kg. Gjaku duhet të jetë nga një kafshë e shëndoshë dhe të mos shkaktojë reagime intravaskulare dhe imunologjike. Transfuzioni mund të përsëritet pas dy ditësh.
Terapia e lëngjeve: Për dehidratimin përdoren tretësira të fosfatit monobazik të natriumit (NaH2PO4), 60 g në 300 ml ujë të distiluar, që administrohen intravenozisht ose nën lëkurë dhe përsëriten pas 12 orësh.
Preparatet e hekurit: Injeksione të preparateve të hekurit, si sulfati i hekurit ose feridekstrani, për të nxitur hemopoezën.
Metionina: Përdoret për të rregulluar funksionin e mëlçisë, duke u administruar rreth 100 ml intravenoz.
Në raste të komplikacioneve me acidozë, përdoren preparate antiacide.
Parandalimi i sëmundjes bëhet me përmirësimin e ushqimit dhe eliminimin e mangësive të fosforit, bakrit, selenit dhe elementeve të tjera ushqimore.
Dr.Berat Berisha
08.Nentor 2024
No comments:
Post a Comment