Friday, November 8, 2024

Osteomalacia te Gjedhët: Shkaqet, Shenjat dhe Trajtimi për Kocka të Shëndetshme

 Osteomalacia

Osteomalacia është një sëmundje metabolike kronike që prek kafshët e mëdha (sidomos gjedhin), te të cilat skeleti është zhvilluar plotësisht. Ajo karakterizohet nga çrregullime metabolike të përgjithshme, sidomos të kalciumit (Ca), fosforit (P) dhe vitaminës D.

Kjo gjendje përfshin humbjen e kalciumit nga indi kockor, duke e zbutur atë dhe e lënë në gjendje të pakalcifikuar.

Sëmundja shfaqet te kafshët e moshuara, shpesh te lopët me prodhimtari të lartë në periudhën 1-2 muaj pas pjelljes, por edhe te lopët që janë shtatzëna. Osteomalacia ka karakter kronik dhe zakonisht nuk shoqërohet me ethe.


1. Shkaqet dhe Patogjeneza

Shkaqet përfshijnë mungesat e zgjatura të Ca, P dhe vitaminës D në dietën ushqimore, ose raportet e gabueshme të tyre në ushqim, çka shkakton mungesa edhe në organizëm.

Tepricat e njërit ose tjetrit element janë gjithashtu të dëmshme, duke predispozuar kafshën për osteomalaci. Varësisht nga periudha fiziologjike dhe cikli prodhues i kafshës, dallohen:

Osteomalacia e laktacionit, kur Ca dhe P mungojnë gjatë laktacionit, sidomos në kulmin e tij.

Osteomalacia e barrës, kur sëmundja paraqitet në muajt e fundit të shtatzënisë.

Një shkak tjetër është ushqyerja e kafshëve me sasi të madhe të koncentrateve. Ushqimet si mielli i mishit, kockave, gjakut, bërsi dhe silazhi janë të pasura me P dhe të varfra me Ca, duke krijuar një mjedis acidik. Në kontrast, ushqimet e gjelbra dhe bishtajoret janë më të pasura me Ca dhe krijojnë një mjedis bazik.

Metabolizmi i Ca dhe P kontrollohet nga sistemi neuro-endokrin, përmes hormoneve të gjëndrave paratiroide dhe tiroide. Në osteomalaci, çrregullimi i funksionit të këtyre gjëndrave shkakton demineralizimin e kockave nga Ca dhe P.

Vitamina D është gjithashtu shumë e rëndësishme për këtë proces; mungesa e saj në organizëm kontribuon në përkeqësimin e gjendjes.


2. Shenjat Klinike

Shenjat e para përfshijnë rënien e prodhimit të qumështit, dobësimin gradual dhe çrregullime të shijes. Kafsha preferon të qëndrojë më shumë shtrirë dhe tregon çrregullime të tretjes, përfshirë hipotoninë e parastomakut. Gjithashtu, shfaqet sindromi i allotriofagisë, me lëpirjen e objekteve të ndryshme, duke përfshirë grazhdin, dhe konsumimin e sendeve të huaja, çka mund të shkaktojë ndërlikime si hipotonia dhe atonia e parastomakut.

Kafsha shtrihet dhe ngrihet me vështirësi, rënkon dhe qëndron me kurriz të ngritur (kifozë), shtrembërime në shtyllën kurrizore si lordozë dhe skoliozë.


3. Diagnoza

Diagnoza vendoset në bazë të të dhënave të anamnezës, analizës së racioneve ushqimore për përmbajtjen e Ca dhe P, dhe shenjave klinike të sëmundjes, duke përfshirë analizat biokimike të gjakut.


4.Mjekimi dhe Masat Parandaluese

Kujdesi Parandalues dhe Mjekues:

Kafshëve të sëmura duhet t'u jepen racione të balancuara me minerale (Ca, P, Mg) dhe vitaminë D, të pasura me proteina, karbohidrate dhe lëndë të tjera ushqyese. Ushqimet me përmbajtje të lartë të lëndëve acidike duhet të shmangen. Përfshihen ushqime të gjelbra si trifili, bari i përzier dhe sanë i cilësisë së mirë, të cilat janë të preferuara.

Kafshët duhet të mbahen në kullotë sa herë të jetë e mundur. Dhënia e ushqimeve të koncentruara duhet të kufizohet derisa të përmirësohet gjendja klinike.

Për plotësimin e nevojave për kalcium, fosfor dhe elementë të tjerë minerale, kafshëve u jepen: shkumës, gëlqere e shuar, karbonat kalciumi, dhe hime për të plotësuar mungesat e fosforit. Çdo ditë duhet t'u jepet kripë gjelle në masën 60-80 gram.

Terapia:

Preparatet e kalciumit, si boro-glukonati i kalciumit dhe preparate të tjera minerale.

Vitaminat, sidomos A dhe D, janë gjithashtu të rëndësishme në terapi.

Parandalimi:

Ushqimi cilësor, i pasur me minerale dhe vitamina, ekspozimi në diell dhe lëshimi në kullotë janë masa kryesore parandaluese për osteomalacinë.


Dr.Berat Berisha

08.Nëntor 2024

No comments:

Post a Comment