Adipositasa, Obesitas (Adipoza, Obeziteti, Mbi-pesha, Dhjamosja)
Kjo patologji metabolike nënkupton shtimin e tepruar në peshë dhe rritjen e tepruar të indit dhjamor nënlëkuror dhe në hapësirat e brendshme të organizmit, përreth zemrës etj.
Kafshët shumë të majme janë të ngathëta, lodhen shpejt gjatë ecjes, kanë parametra fiziologjikë të ulur dhe aktivitet seksual më të ulët.
Shkaqet dhe Patogjeneza
Obeziteti lidhet me ushqyerjen e gabuar dhe të tepërt, ku në racione ushqimore ka sasi të tepërta kalorish. Në një shkallë të caktuar, kjo patologji ka lidhje edhe me faktorët gjenetikë, të cilët janë faktorë predispozues. Në rastet dytësore, sëmundja lidhet me çrregullime endokrine, të cilat mund të kenë një komponent trashëgues. Për shembull, obeziteti është një dukuri familjare (e trashëgueshme).
Në qen, obeziteti paraqet rrezik të madh për pankreatit akut, diabet të sheqerit, hiperplazi dhe neoplazi të gjirit. Po ashtu, këto rreziqe për komplikacione ekzistojnë edhe në kafshë të tjera.
Shenjat Klinike
Kafsha është e rrumbullakët, shumë e majme, e ngathët, dhe parametrat fiziologjikë të pulsit dhe frymëmarrjes janë nën normë. Në situata shumë të majme, kafsha mund të paraqesë insuficiencë të theksuar të zemrës. Aktiviteti seksual është i ulët; tek lopët, ka mungesë afshi dhe shterpësi të përkohshme ose të përhershme. Gjatë periudhës së pjelljes, lopët mund të përjetojnë pjellje të vështira, dhe fetusi mund të ngordhë gjatë lindjes. Mund të ndodhin gjithashtu komplikacione si mbetje shtrati, mastite, endometrite etj.
Edhe në dema, humbja e dëshirës seksuale dhe indiferenca bëhen të dukshme. Kualiteti i spermës është i dobët, dhe numri i spermatozoidëve është i vogël. Të tilla shenja vërehen edhe në kafshë të tjera si dhenë, dhi, kuaj, qen, mace etj.
Diagnoza
Diagnoza bëhet në bazë të anamnezës dhe shenjave klinike. Megjithatë, diagnoza diferenciale është e rëndësishme për të dalluar format parësore (të shkaktuara nga ushqimi) nga format dytësore (endokrine). Po ashtu, është e rëndësishme të identifikohen shkaqet kryesore në rastin e formave dytësore.
Në provimin tonë kemi hasur disa raste të obezitetit, kryesisht tek lopët, dhe pothuajse të gjitha format kanë pasur shkakësi alimentare. Kjo tregon për rëndësinë e ushqyerjes dhe balancimit të duhur të racionit ushqimor.
Mjekimi dhe Parandalimi
Parandalimi bëhet me ushqyerje të balancuar dhe të drejtë, duke shmangur tepricën e kalorive në racion.
Parimet e mjekimit janë:
1.-Paksimi gradual i kalorive në racion ushqimor, duke ulur ushqimin e koncentratëve dhe duke e përshtatur atë në funksion të kërkesave fiziologjike.
2.-Rritja e aktiviteteve fizike, për shembull lëshimi në kullosë për të bërë kafshët më aktive dhe për të djegur kaloritë e tepërta.
3.-Terapia me barna është simptomatike, me preparate kardio-respiratore dhe indigjistive për përmirësimin e funksioneve jetësore dhe për të luftuar deficencat fiziologjike të zemrës, mushkërive etj.
Në rastet dytësore, duhet trajtuar sëmundja parësore që shkakton obezitetin. Megjithatë, raste të tilla zakonisht kanë një prognozë të disfavorshme.
Dr.Berat Berisha
08.Nëntor, 2024
No comments:
Post a Comment