Friday, November 8, 2024

Pareza Puerperale te Lopët: Shkaqet, Shenjat dhe Trajtimi Efektiv i Sëmundjes pas Lindjes

 Pareza e paspjelljes (pareza puerperalis)

Pareza puerperale është një sëmundje që lidhet me çrregullimin e metabolizmit në 24-72 orët e para të laktacionit. Rreth 90% e rasteve klinike ndodhin brenda 48 orëve të para të laktacionit, ndërsa shenjat e para vërehen në 24 orët e para pas pjelljes.

Kjo sëmundje shfaqet më shpesh tek lopët me prodhimtari të lartë qumështi dhe më rrallë tek delet, dhitë dhe buallicat. Karakterizohet nga hipokalcemi dhe hipofosfatemi, të cilat shkaktojnë dobësim të përgjithshëm muskulor, humbje të ndjeshmërisë së lëkurës dhe parezë të faringut, gjuhës dhe organeve të traktit digjestiv, si dhe të organeve të tjera.

Sëmundja zakonisht prek lopët e moshës 6-10 vjeç, që janë të ushqyera mirë në periudhën para pjelljes, veçanërisht kur dieta përmban nivele të larta proteinike dhe ka përmbajtje të ulët fosfori. Mund të shfaqet gjithashtu edhe tek kafshët më të reja.


Shkaqet dhe patogeneza

Shkaku i saktë i sëmundjes ende nuk është plotësisht i njohur, megjithatë teoria më e pranuar lidhet me hipokalceminë dhe hipofosfateminë. Sipas kësaj teorie, pareza puerperale shkaktohet nga rënia e shpejtë e nivelit të kalciumit jonik në gjak dhe në inde, përfshirë sistemin nervor qëndror dhe periferik.

Kjo rënie e kalciumit në gjak lidhet me sekretimin e shpejtë dhe të pakontrolluar të tij përmes kulloshtrës dhe me mobilizimin e tij të shtuar në indin kockor, që ndodh si pasojë e dëmtimit të metabolizmit hormonal të gjëndrave tiroide dhe paratiroide.


Shenjat klinike

Sëmundja zhvillohet në tre stade:

Stadi i parë (eksitues): Karakterizohet nga eksitimi dhe manifestime të tetanisë (shtangie dhe dridhje muskulare). Kafsha ka dridhje të muskujve të gjymtyrëve dhe kokës, pakësim të oreksit dhe hiperndjeshmëri ndaj zhurmave.

Stadi i dytë (dobësues): Karakterizohet nga dobësimi i tonusit muskulor; kafsha ka dëshirë të qëndrojë e shtrirë. Qafa merr formën e gërmës "S". Temperatura e trupit është nën normë (36-37°C) dhe pulsi është i dobët.

Stadi i tretë (komatoz): Kafsha është në gjendje komatoze, qëndron e shtrirë anash, nuk reagon ndaj ngacmimeve dhe humb ndjeshmërinë. Temperatura bie në 35°C, pulsi bëhet shumë i dobët ose i pakapshëm dhe kafsha nuk ha, përtypet apo urinon.


Diagnoza

Diagnoza vendoset lehtë, duke u bazuar në anamnezë, kohën dhe rrethanat e shfaqjes së sëmundjes, shenjat klinike dhe zhvillimin kliniko-patologjik progresiv karakteristik.


Mjekimi dhe masat parandaluese

Fillimisht, lopën duhet ta vendosim në pozicion qëndrimi mbi sternum për të lehtësuar daljen e gazrave të plëndësit. Terapia fillon me preparate të kalciumit (p.sh., boroglukonati i kalciumit) dhe plotësimin e nevojave për fosfor dhe magnez. Në raste të caktuara, indikohet edhe dhënia e glukozës për shkak të rënies së metabolizmit bazal.

Efekti i terapisë është i menjëhershëm, pasi lopa mund të ngrihet në këmbë pas 10-15 minutash.

Më parë, sëmundja është trajtuar duke fryrë gjirin me ajër përmes pompës Evers, por kjo metodë është lënë mënjanë për shkak të komplikacioneve si mastiti dhe zhvillimi i terapisë moderne.

Nëse sëmundja nuk trajtohet, kafsha ngordh pas 72 orëve.


Parandalimi

Parandalimi bëhet me korrektimin e dietës, ku gjatë periudhës së tharjes duhet të rritet përmbajtja e fosforit dhe të ulet kalciumi.


Dr. Berat Berisha

08.Nëntor 2024


No comments:

Post a Comment