Friday, November 8, 2024

Tetanitë në kafshët ripërtypëse

Tetanitë janë çrregullime metabolike që prekin kryesisht kafshët me prodhimtari të lartë, por ndonjëherë mund të hasen edhe në kafshë me prodhimtari të ulët, si në viça, kafshë të majmërisë dhe madje edhe ato barrë.


Tetanitë janë pasoja të mungesës së kalciumit, fosforit dhe magnezit.

Ekzistojnë tri forma kryesore të tetanisë:

  1.Tetania hipomagnezemike ose e kullotës
  2.Tetania e stallës
  3.Tetania e transportit

Të gjitha format e tetanisë karakterizohen nga kontraktime tetanike të muskujve të strijuar.


1.Tetania hipomagnezemike

Tetania hipomagnezemike, e njohur ndryshe si tetania e kullotës apo tetania e laktacionit, paraqitet në raste ku ushqimet janë të varfra me magnez (Mg). Tetania prek vetëm kafshët ripërtypëse dhe është më e zakonshme në disa raca. Në lopë, ndodh kryesisht në javët e para të laktacionit dhe në individët me prodhimtari të lartë të qumështit. Klima e ftohtë, me temperaturë mesatare midis 7-15°C, ndikon në përhapjen e sëmundjes


1.2.Shkaqet dhe Patogjeneza

Rreth 70% e magnezit ndodhet në kocka, ndërsa 30% ndodhet në inde të buta dhe gjak. Ushqimi duhet të jetë i pasur me magnez për të plotësuar nevojat e kafshëve të vjetra dhe me prodhimtari të lartë. Tetania shfaqet në kullota me magnez të ulët ose të pasura me kalium, veçanërisht kur ato plehërohen me plehra azotikë.


1.3.Shenjat Klinike

Shenjat klinike fillojnë kur niveli i magnezit jonik në gjak bie nën 1,7 mg%. Shenjat përfshijnë: ngritjen e veshëve, hiperestezinë, dridhjen e syve, dhe tonus të lartë muskulor. Në mungesë të trajtimit, kafsha bie në gjendje kome dhe mund të ngordhë brenda pak orësh.


1.4.Diagnoza

Bazohet në anamnezën, shenjat klinike dhe analizat e gjakut për nivelin e magnezit dhe kalciumit.


1.5.Mjekimi dhe Parandalimi

Terapia përfshin kloral hidrat dhe kripra magnezi ose kalciumi. Parandalimi bëhet përmes kontrollit të ushqimit dhe kullotjes në toka jo tetanogjene.


2.Tetania e stallës

Kjo formë prek kafshët që jetojnë në kushte stallore dhe ka karakteristika të ngjashme klinike me tetaninë e kullotës. Shfaqet zakonisht në pranverë ose vjeshtë, dhe përkeqësohet kur ushqimi është i varfër me koncentrate.


2.2.Shenjat Klinike dhe Parandalimi

Shenjat janë të njëjta me tetaninë e kullotës, por ajo zhvillohet më shpejt, duke bërë që kafsha të ngordhë pa simptoma të dukshme paraprake. Mjekimi prandaj është i pamundur. Parandalimi përfshin përmirësimin e ushqimit.


3.Tetania e transportit

Kjo formë e tetanisë paraqitet në kafshët që transportohen për periudha të gjata. Shenjat klinike janë të ngjashme me tetaninë hipomagnezemike, por lidhet me hipomagnezeminë e shkaktuar nga stresi i transportit.


3.2.Shenjat Klinike dhe Mjekimi

Temperatura fillimisht rritet dhe më pas bie, me shenja si eksitimi, dridhjet, dhe në fazën përfundimtare koma dhe ngordhja. Mjekimi është i ngjashëm me format e tjera të tetanisë. Parandalimi rekomandon mbajtjen e kafshëve në natyrë para transportit dhe furnizimin e tyre me oksid magnezi për të përballuar stresin e transportit.

Këto tetani kërkojnë kujdes të veçantë dhe trajtim të shpejtë për të parandaluar ngordhjen, duke marrë masa në ushqim, menaxhim dhe transport për të ruajtur shëndetin e kafshëve.



Dr.Berat Berisha

08.Nëntor 2024


No comments:

Post a Comment