Kasheksia dhe Pamjaftueshmëria Kalorike (Gjendja e Urisë)
Pamjaftueshmëria ushqimore, sidomos kur racioni ushqimor përmban sasi të pamjaftueshme të kalorive dhe proteinave, shkakton gjendje urie dhe krizë metabolike, me pasoja të mëdha ekonomike.
Sëmundja e njohur si kasheksi (dobësimi) ndodh kur kafshët nuk kanë mjaft ushqim ose nuk mund të ushqehen sa duhet. Pamjaftueshmëria kalorike fillon të shfaqet fillimisht me humbjen e dhjamit trupor, e më pas me zvogëlimin e masës muskulare.
Kjo sëmundje karakterizohet nga një dobësi progresive trupore, atrofia e muskujve të strijuar dhe skeletorë që pakësohen gradualisht, si dhe degjenerimi i muskulit të zemrës, etj. Mungesa e proteinave dhe kalorive ndikon gjithashtu në atrofinë dhe zvogëlimin e mëlçisë, pankreasit, dhe organeve të tjera. Në këtë sëmundje mbizotëron katabolizmi (djegia dhe zbërthimi) mbi anabolizmin (sinteza dhe rigjenerimi).
Shkaqet dhe Patogjeneza
Sëmundja lidhet me ushqyerjen e gabuar, të varfër në energji, proteina, si dhe ndonjëherë në vitamina e minerale. Në këto raste, në organizëm kemi gjithnjë më pak lëndë të nevojshme për rigjenerimin e indeve dhe plotësimin e kërkesave energjetike. Kjo sjell deficit energjie dhe më pas mungesa të lëndëve të tjera, duke përfshirë proteinat.
Si rezultat, rezervat dhjamore fillojnë të zbërthehen për të plotësuar nevojat energjetike që nuk mund të mbulohen nga ushqimi. Kjo situatë çon në prekjen edhe të muskulaturës skeletore dhe periferike, ndërkohë që organizmi përpiqet të ruajë organet jetike. Ky proces i zbërthimit dhe zvogëlimit të muskujve quhet atrofi.
Atrofia në shkallë të ndryshme prek edhe organet e brendshme, varësisht nga kohëzgjatja e sëmundjes dhe gjendja e rëndë e urisë. Atrofia zakonisht nuk prek Sistemin Nervor Qendror dhe miokardin e zemrës.
Kjo gjendje karakteristike e sëmundjes ndodh kur shkaku kryesor është mungesa e ushqimit ose një ushqyerje e varfër që nuk plotëson kërkesat fiziologjike. Sidoqoftë, kasheksia mund të shfaqet edhe si pasojë e sëmundjeve të tjera, duke u konsideruar si sëmundje dytësore.
Në lidhje me patogjenezën, ajo është e ngjashme edhe në rastin e kasheksisë dytësore. Shkaqet përfshijnë sëmundjet bakteriale kronike (si paratuberkulozi nga Mycobacterium paratuberculosis, salmonelozat), parazitët gastro-intestinalë dhe sëmundjet kronike parazitare (fashioloza, strongilatët gastro-intestinalë).
Klinika dhe Patologjia
Sëmundja ka kohëzgjatje kronike, duke zgjatur nga disa muaj deri në më shumë se një vit. Shenjat klinike janë:
1.-Reduktimi i prodhimit të qumështit dhe vezëve
2.-Humbje në peshë
3.-Dehidratim (lëkura e thatë, sytë e futur në orbitë)
4.-Parametrat fiziologjikë (puls, frymëmarrje dhe temperaturë nën normë); me rëndimin e sëmundjes, temperatura bie nën 36.5°C dhe mund të arrijë deri nën 36°C.
5.-Pakësimi i konsumimit të ushqimit, probleme tretëse dhe anoreksi; zvogëlim i ruminacioneve dhe ripërtypjeve tek ripërtypësit.
Në aspektin patologjik, shfaqet degjenerim yndyror (lipidozë) në mëlçi, anemi, dhe lezione në lëkurë. Kafshët e reja dhe ato të moshuara e përballojnë më vështirë gjendjen e urisë, duke çuar në ngordhje më të shpejtë.
Diagnoza
Diagnoza vendoset bazuar në anamnezë, shenja klinike dhe analizën e racioneve ushqimore. Analizat laboratorike ndihmojnë për të dalluar mes kasheksisë primare dhe asaj dytësore, si dhe për të identifikuar shkakun e vërtetë të kasheksisë dytësore.
Mjekimi dhe Parandalimi
Parandalimi përfshin përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe eliminimin e shkaqeve në kohë. Trajtimi përfshin:
-Përmirësimin e ushqimit, rritjen graduale të kalorive, proteinave dhe aminoacideve esenciale
-Suplementim me vitamina dhe minerale Sigurimin e ujit
-Terapi fluide dhe elektrolite në fazën fillestare
-Përdorimin e kafeinës ose barnave që përmirësojnë funksionin kardiak
-Glukozë intravenoze (p.sh., për lopë 200-400 ml tretsirë glukoze 20-40%)
-Preparatet e hekurit për nxitjen e hemopoezës, duke qenë se kafsha mund të jetë në gjendje anemie
-Rritjen e aktiviteteve dhe lëvizjes së kafshës
-Në raste të kasheksisë dytësore, trajtimin e sëmundjes parësore (terapi etiologjike: antibiotikë për infeksionet bakteriale, antiparazitare për parazitozat, etj.)
Prognoza për kasheksinë dytësore mbetet kryesisht e disfavorshme, megjithëse varion sipas prognozës së sëmundjes parësore.
Dr.Berat Berisha
08.Nëntor, 2024
No comments:
Post a Comment