Saturday, January 29, 2022

Origjina e virusit Covid19 dhe rrugëtimi i tij është fillimi i një epoke të re!

Që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar e deri më sot, njihen disa koronaviruse që shkaktojnë sëmundje respiratore dhe enterike te kafshët dhe njerëzit.

Te njerëzit janë identifikuar 7 të tillë, nga të cilët 4 nuk shkaktojnë komplikacione (229E, NL63, OC43 dhe HKU1), ndërsa tre të tjerët janë më të rëndë (SARS-CoV, MERS-CoV dhe SARS-CoV-2).

Të tre këta viruse të rëndë, kur janë paraqitur, kanë treguar se në të vërtetë koronaviruset janë viruse tepër të rrezikshëm.

Por problemi thelbësor i tyre është genoma e madhe, e cila ka potencial të konsiderueshëm për mutacione.

Origjina e koronavirusit më të fundit, të njohur si SARS-CoV-2, është nga koronavirusi SARS-CoV-like, me të cilin ka një gjenom shumë të ngjashëm, prej të cilit ka rrjedhur përmes mutacioneve të caktuara.

Puna e gjatë në kërkimin e vaksinës kundër koronaviruseve (sipas teknologjisë mARN), e nisur që në vitin 2003 kur u paraqit SARS-i (në Kinë) dhe më pas MERS-i në vitin 2012 (në Lindjen e Mesme), shërbeu për t’u kurorëzuar me sukses, pas një pune të gjatë, me ofrimin e disa vaksinave kundër COVID-19 (SARS-CoV-2). Por virusi, i përhapur në shkallë pandemie (në të gjithë botën), pësoi mutacione; prej të cilave dolën disa variante që përhapeshin gjithnjë e më shpejt, derisa arritëm tek variantet: Delta dhe më pas Omikron (që po dominon bazuar në veçoritë e veta biokimike) – e pse të mos mendojmë se do të jetë i fundit!

Por, ashtu siç nuk ndalojnë variantet e virusit, nuk do të ndalen as vaksinat e reja kundër tyre. Bashkë me pandeminë, bota po ndryshon, por “PËRPARIME MBRESËLËNSE” po bëhen në mjekësi.

Nesër, me teknologjinë e re, institucionet përkatëse do të monitorojnë shëndetin e popullatës online. Ky është një revolucion që po ndodh! Sa pak dimë për kohën, kur pandemitë si COVID-19 do të mbeten vetëm histori!

Dr. Berat Berisha
29.01.2022

No comments:

Post a Comment